Sot mbushen 26 vjet nga ngjarjet tragjike në veri të Mitrovicës, ku dhjetëra shqiptarë u vranë dhe mijëra të tjerë u dëbuan.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 nuk janë thjesht tragjedi njerëzore, por pjesë e një politike të dhunshme për ndryshimin e përbërjes etnike në katër komunat veriore të Kosovës. Sipas Sveçlës, këto ngjarje janë dëshmi e politikave të vazhdueshme të Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve.
Gjatë atyre ngjarjeve, dhjetë qytetarë, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën, 25 të tjerë u plagosën, dhe rreth 12 mijë banorë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre. Ai theksoi rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë, duke bërë thirrje për sjelljen e autorëve të krimeve para drejtësisë.
Sveçla shtoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të sigurojë kthimin e të gjithë të dëbuarve në pronat e tyre.

Leave a Reply