Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka shprehur mendimin se Presidenca e Kosovës nuk ka asnjë mundësi për të fituar padinë e saj të paralajmëruar kundër gazetarit gjerman Michael Martens të Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Martens kishte shkruar një analizë që sugjeron se Presidentja Osmani synon rizgjedhjen duke u prezantuar si “kandidatja e Trump”. Sipas Kusarit, një padi e tillë nuk do të kishte sukses në asnjë gjykatë ku respektohet sundimi i ligjit, duke e klasifikuar atë si një veprim që mund të dëmtojë reputacionin e institucioneve kosovare për përdorimin e padive të pabaza kundër mediave.
Ajo shtoi se analiza e Martens është në përputhje me ligjin dhe ngre çështje me interes publik, të cilat mbrohen fuqishëm në gjykatë. Kusari theksoi se Presidentja duhet të jetë e hapur ndaj kritikave, përfshirë ato të ashpra, ndërsa liria e shprehjes dhe e medias janë themelore për demokracinë.
Kusari shprehu shqetësim mbi mënyrën se si zyra e presidentes ka përdorur terminologji kërcënuese ndaj gazetarit, duke përmendur ligjin penal dhe dezinformatat, edhe pse çështjet e shpifjes trajtohen në mënyrë civile në Gjermani.

Leave a Reply