Apeli miraton paraburgimin për 8 të dyshuarit në Prizren

Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për paraburgimin e tetë të dyshuarve për manipulim votash, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Ndër të dyshuarit janë B.B., A.A., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G. dhe I.P.

Nga ana tjetër, mbrojtësit e të dyshuarve kanë paraqitur ankesa të ndryshme. Avokati Refki Piraj kërkoi arrest shtëpiak për klientin e tij, I.P., ndërsa avokati Hasan Biraj kërkoi rivendosje të çështjes për B.Xh.

Avokatët e tjerë kërkuan masa më të buta, si arrest shtëpiak apo paraqitje në stacion policor. Gjykata e Apelit theksoi se vendimi për paraburgim ishte i drejtë, duke argumentuar se dyshimet janë të bazuara në provat e mbledhura.

Ky vendim është mbështetur në nevojën për të siguruar praninë e të dyshuarve në procesin penal dhe për të parandaluar ndërhyrjen në dëshmitarë. Ndërkohë, për nëntë të dyshuar të tjerë, çështja është kthyer në rivendosje.

Gjykata Themelore kishte caktuar më parë masën e paraburgimit për 23 të dyshuar në total, nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit dhe vepra të tjera penale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *