Kylian Mbappe ka ndërmarrë veprime ligjore kundër Paris Saint Germain, duke dërguar një përmbarues në selinë e klubit këtë të premte.
Ky zhvillim u raportua nga “L’Equipe”, që tregoi se veprimi u ndërmor për të zbatuar urdhrin e Gjykatës për pagesën e shumës së mbetur që klubi i detyrohet sulmuesit. Në dhjetor, Këshilli i Prud’Hommes vendosi që klubi parisien t’i paguante Mbappe-s një total prej 60.9 milionë eurosh, nga të cilat janë shlyer 55 milionë.
Ende mbeten pa paguar 5.9 milionë euro. Paris Saint Germain ka deri më 19 shkurt për të apeluar vendimin dhe, megjithëse fillimisht shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar, pagesa e plotë nuk është realizuar.
Gjykata e Punës dhe Liga kanë mbështetur kërkesën e Mbappe-s për pagesën e detyrimeve të prapambetura, ndërsa klubi nuk ka publikuar ende vendimin në faqen e tij zyrtare, siç është urdhëruar. Mbappe dhe avokatët e tij janë të vendosur të kërkojnë pagesën e plotë, duke mos pranuar ndërmjetësime.

Leave a Reply