Gjatë vitit 2025, Kosova ka regjistruar rreth 1.42 miliardë euro në remitanca, duke shënuar një rritje prej 4.4% krahasuar me vitin 2024.
Kjo përfaqëson një shtesë prej afërsisht 60 milionë euro. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) raporton se pjesa më e madhe e këtyre fondeve ka ardhur nga Gjermania, duke përbërë 39% të totalit.
Pas Gjermanisë, Zvicra kontribuon me 17.5%, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 7.2%, Austria me 4.2%, dhe Italia me 3.9%. Belgjika dhe Franca shënojnë secila nga 3.4% të remitancave.
Në aspektin e metodave të transferimit, agjencitë për transfere të mjeteve mbulojnë 55% të dërgesave, bankat 17%, ndërsa pjesa tjetër prej 28% realizohet përmes kanaleve të tjera. Struktura e këtyre transfereve mbetet e ngjashme me vitin e kaluar.
Mesatarja mujore e fondeve të pranuara është rreth 117.9 milionë euro, me kulme në korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht për shkak të ardhjes së diasporës gjatë pushimeve verore dhe festave të fundvitit. Të dhënat për dhjetorin priten të përmbyllen në fund të shkurtit.

Leave a Reply