Prokuroria e Prizrenit heton rinumërimin e votave në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash, duke vepruar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Vendimi për të filluar hetimet u autorizua nga kryeprokurori Petrit Kryeziu, pas marrjes së informacioneve publike që lidhen me këtë çështje. Këto hetime përqendrohen në dyshimet për vepra penale që lidhen me shkeljen e të drejtave të votimit, të përshkruara në kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktualisht, Prokuroria po ndërmerr veprime hetimore në Dragash për të ndriçuar këto dyshime. Duke qenë të vetëdijshëm për interesin e madh publik dhe të mediave, Prokuroria ka bërë të ditur se do të lëshojë një komunikatë shtesë gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve nga policia, për të informuar mbi zhvillimet e mëtejme në hetim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *