Një stuhi dëbore në anën lindore të Everestit ka bllokuar afro 1,000 persona në kampet e Tibetit, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe banorët lokalë po punojnë për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora, raportojnë mediat shtetërore kineze.
Operacionet e shpëtimit janë në zhvillim të plotë, me rreth 350 persona tashmë të shpëtuar dhe të dërguar në qytetin e vogël Qudang. Stuhia, e cila filloi të premten në mbrëmje, ka goditur rëndë zonën që ndodhet në një lartësi mbi 4,900 metra, ku shumë alpinistë dhe turistë përballen me rrezikun e hipotermisë.
Një anëtar i një grupi ecjeje, Chen Geshuang, për Reuters, përshkroi kushtet si jashtëzakonisht të ftohta dhe të lagështa. Për shkak të kushteve të vështira, autoritetet kanë pezulluar shitjen e biletave për Zonën Turistike të Everestit.
Ndërkohë, në Kinë, tajfuni Matmo ka shkaktuar evakuimin e rreth 150,000 personave, ndërsa Nepali fqinj po përballet me përmbytje dhe rrëshqitje toke që kanë shkaktuar të paktën 47 viktima.

Leave a Reply