Dy ministre të qeverisë belge, Annelies Verlinden dhe Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë diplomatike tre-ditore në Shqipëri dhe Kosovë.
Objektivi kryesor i vizitës është diskutimi i mbipopullimit të burgjeve dhe lufta kundër krimit të organizuar. Në përpjekje për të zgjidhur problemin e kapacitetit të burgjeve në Belgjikë, qeveria po shqyrton mundësinë e ndërtimit apo marrjes me qira të një burgu jashtë vendit për të burgosurit që nuk janë rezidentë në Belgjikë.
Gjatë qëndrimit të tyre, ministrat do të shqyrtojnë këtë opsion në bisedimet e tyre me autoritetet shqiptare dhe kosovare. Gjithashtu, Verlinden dhe Van Bossuyt synojnë të arrijnë një marrëveshje me Shqipërinë për kthimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në burgjet belge.
Aktualisht, 307 shqiptarë janë në burgjet e Belgjikës, ku 253 prej tyre nuk kanë të drejtë qëndrimi. Në Kosovë, do të diskutohen edhe planet për një traktat dypalësh për ndihmë juridike, si dhe ndarjen e aseteve të konfiskuara nga aktivitetet kriminale, për të forcuar bashkëpunimin gjyqësor mes vendeve.

Leave a Reply