Katër viktima nga mbytja e varkës me emigrantë drejt Greqisë

Katër persona, përfshirë një fëmijë, humbën jetën kur një varkë që bartte emigrantë u përmbys pranë ishullit të Lesbos në Detin Egje.

Trupat e dy grave, një burri dhe një vajze u nxorrën nga ujërat e ishullit. Varka u gjet e gjysmë-zhytur pranë një zone shkëmbore të bregdetit.

Ndërkohë, 34 persona që mbijetuan, arritën të dalin në breg dhe u identifikuan nga policia. Pas dëshmive të mbijetuarve, u anulua operacioni i kërkim-shpëtimit në tokë dhe det, pasi u konfirmua se në varkë ishin gjithsej 38 persona.

Autoritetet greke po hetojnë shkaqet e mbytjes së varkës, ndërsa kombësia e viktimave dhe të mbijetuarve ende nuk është bërë publike. Greqia, shpeshherë destinacion i emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, përballet me sfida të mëdha për shkak të udhëtimeve të rrezikshme nga brigjet turke drejt ishujve të saj, ku aksidentet e tilla fatale nuk janë të rralla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *