IPK kërkon pezullimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar pezullimin e përkohshëm të tre zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Klinë.

Ky vendim vjen pas nisjes së një hetimi lidhur me një incident të dyshuar, ku përfshihen këta zyrtarë. Sipas IPK-së, më 19 shtator 2025, ata nuk kanë raportuar rrethanat dhe veprimet që mund të përbëjnë veprën penale të “Moslajmërimit të veprave penale apo kryerësve të tyre”, siç parashikohet në nenin 386 të Kodit Penal të Kosovës.

Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve i IPK-së, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Pejës, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes. Rekomandimi për pezullim synon të shmangë ndikimin e mundshëm në procesin hetimor, duke garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se ky hap është i nevojshëm për të siguruar objektivitetin e hetimeve në vazhdim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *