Gjykata jep vendimin për çështjen e Fatmir Shehollit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim për Fatmir Shehollin, i akuzuar për spiunazh.

Kjo masë u vendos pas një seance dëgjimore me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, sipas zëdhënëses Mirlinda Gashi. Sheholli është nën dyshimin se ka bashkëpunuar me Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA), duke vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit Bojan Dimic.

Ai akuzohet se ka mbledhur informacione për pronat e supozuara të uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka transmetuar ato tek BIA përmes telefonit. Më 26 shtator, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli dyshohet se ka marrë materiale dhe transkripte komprometuese nga zyrtarët e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si dhe një shumë parash si shpërblim për publikimin e tyre në media online.

Policia e Kosovës, gjatë bastisjes më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit, ka sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente që do të ekzaminohen. Veprimet e Shehollit thuhet se kanë ndihmuar BIA-në dhe kanë cënuar sigurinë e Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *