Balje: Incizimi i vjetër, akuzon VV-në për sulm politik

Deputetja boshnjake Duda Balje ka reaguar ndaj publikimit të një audioincizimi nga RTK, ku ajo dëgjohet duke biseduar me Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh.

Balje ka mohuar çdo qëllim antikombëtar në këtë bisedë, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorimin e incizimit si një sulm politik. Sipas Baljes, incizimi daton më shumë se gjashtë vjet më parë, kur grupi multietnik GP 6+ ishte aktiv.

Ajo theksoi se në këtë bisedë përmend GP 6+, i cili tashmë nuk ekziston. Diskutimi, sipas saj, kishte të bënte me vehabizmin në Prizren dhe se nuk ka pasur kontakte të tjera me Shehollin përveç bisedave të zakonshme për komunitetet.

Balje nënvizoi se gjatë mandateve të saj si deputete ka vepruar gjithmonë në interes të Kosovës. Ajo pretendoi se publikimi është një goditje e dytë nga Vetëvendosje, pas vendimit të saj për të mos e mbështetur këtë parti, duke shtuar se sulmi i parë kishte prekur familjen e saj.

RTK publikoi incizimin të premten, ku Sheholli deklaron lidhje me Milan Radoiçiqin. Sheholli u arrestua nga Policia e Kosovës për dyshime të spiunazhit, duke pasur një të kaluar si pjesëtar i shërbimeve sekrete serbe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *