Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar Sébastien Lecornu-t të rikthehet si kryeministër, vetëm katër ditë pas dorëheqjes së tij, duke shkaktuar një javë trazirash politike në vend.
Macroni njoftoi vendimin të premten vonë, pas një takimi në Pallatin Elize me përfaqësues të partive kryesore, përjashtuar ato të ekstremit të djathtë dhe të majtë, njofton BBC. Rikthimi i Lecornu-t ishte i papritur, pasi dy ditë më parë kishte deklaruar se nuk kishte interes për pozitën e kryeministrit dhe se misioni i tij kishte përfunduar.
Megjithatë, ai tani përballet me sfidën e formimit të një qeverie, për të cilën ka pak kohë. Deri të hënën, ai duhet të paraqesë projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm para deputetëve.
Pallati Elize konfirmoi se Macroni i kishte dhënë Lecornu-t detyrën e formimit të qeverisë. Lecornu më pas deklaroi në rrjetin X se e pranon detyrën e besuar nga presidenti për t’i ofruar Francës një buxhet deri në fund të vitit dhe për të adresuar problemet e përditshme të qytetarëve.

Leave a Reply