Në Qendrat Komunale të Numërimit ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët e asambleve dhe verifikimi i rezultateve, raporton Reporteri.net.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se ky proces filloi në tri komuna në mesditë, ndërsa në 35 të tjera në orën 16:00. Elezi theksoi se në këto qendra do të realizohet edhe verifikimi i rezultateve sipas formularëve të plotësuar në vendvotime.
Në 38 qendrat e numërimit, procesi do të zhvillohet në dy ndërrime, ku janë emëruar mbi 520 ekipe me mbi 2,000 anëtarë të përfshirë. Elezi shtoi se do të sigurohet transparencë e plotë nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç votimit në 2,571 vendvotime të rregullta, KQZ ka organizuar votimin me kusht dhe votimin për persona me nevoja të veçanta përmes ekipeve mobile, si dhe votimin me postë për qytetarët jashtë Kosovës. Numri i votuesve të cilët morën pjesë në zgjedhje ishte 791,123, që përbën 39.07% të elektoratit.
Elezi nuk dha një afat të saktë për përfundimin e procesit të numërimit.

Leave a Reply