Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka bërë të ditur se partia e drejtuar nga Fatmir Limaj është e gatshme për të nisur bisedime me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, nëse i ofrohet mundësia për formimin e një qeverie të re.
Izmaku theksoi se pjesëmarrja në këto bisedime është një hap pozitiv për të vlerësuar se si Nisma mund të kontribuojë. Ajo beson se roli më i përshtatshëm për Nismën do të ishte që Limaj të marrë postin e kryetarit të Kuvendit.
Deputetja shpreh gatishmërinë për dialog, duke shtuar se Nisma do të jetë gjithmonë pjesë e tryezës për të gjetur zgjidhje politike, pavarësisht emrit të kryeministrit. Ajo theksoi nevojën për të shmangur shpenzimet e larta të një procesi të ri zgjedhor dhe për të krijuar institucione të qëndrueshme.
Nëse partisë i ofrohet mundësia, Nisma synon të japë kontributin më të mirë në Kuvend, duke besuar se Limaj do të mundësojë një udhëheqje të besueshme. Edhe nëse partneri qeveritar është tjetër, Nisma është e gatshme të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja.

Leave a Reply