Një ngjarje tragjike ka ndodhur në rrugën Landovicë-Gjonaj, ku një 17-vjeçar është gjetur pa jetë nga disa qytetarë që punonin në ara.
Lajmi është konfirmuar nga Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit. Sipas Bytyqit, i riu ishte duke drejtuar një motoçikletë kur humbi kontrollin duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës, çka rezultoi në përplasjen me murin mbrojtës të një shtëpie në ndërtim.
Përplasja i shkaktoi atij lëndime të rënda që sollën vdekjen në vendngjarje. Policia u informua për incidentin më 14 tetor 2025, rreth orës 16:00, pasi qytetarët raportuan për një trup të shtrirë pranë një muri, rreth 7–8 metra larg rrugës.
Viktima, identifikuar si V.N. nga lagjja Arbane, ishte raportuar i zhdukur nga familja që nga mbrëmë.
Hetimet e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit, po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të këtij rasti.

Leave a Reply