Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfundoi vizitën e saj të shkurtër në Kosovë pa mbajtur një konferencë për media, duke udhëtuar menjëherë drejt Shkupit.
Në Prishtinë, ajo u takua fillimisht me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë dhe më pas me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Kuvendit. Ky takim u zhvillua sipas një vendimi të BE-së që ndalon takimet në zyrën e Kryeministrisë deri sa Kosova të ketë një qeveri të plotë.
Më herët, von der Leyen kishte vizituar Beogradin, ku pati një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke mbajtur një konferencë të përbashkët për media. Ndërkohë, në agjendën e saj ishte parashikuar që gjatë turit në Ballkanin Perëndimor të mbante konferenca për shtyp dhe fjalime, por kjo nuk ndodhi në Prishtinë.
Në Shkup, ajo planifikon të takohet me liderët kryesorë të Maqedonisë së Veriut, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, duke përmbyllur kështu udhëtimin e saj në rajon.

Leave a Reply