Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka konfirmuar se një konvoj i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) hyri gabimisht në veri të Kosovës.
Ky incident ndodhi pasi njësiti i FSK-së devijoi nga itinerari i tij për disa minuta, por u rikthye menjëherë në drejtimin e saktë në jug të Kosovës. Në një komunikatë për media, KFOR-i ka theksuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjes që ndalon dislokimin e FSK-së në veri pa njoftim dhe miratim paraprak nga KFOR-i.
Kjo u konfirmua edhe në një bisedë telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe atij të FSK-së. Ngjarja u përshkrua nga shefi i sektorit të informimit publik të FSK-së, Vëllazërim Qerimi, i cili sqaroi se automjetet e FSK-së, duke udhëtuar nga Istogu për në Mitrovicë, ngatërruan drejtimin.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani, informoi se konvoji kaloi pesë minuta në një stacion karburanti para se të kuptonin gabimin. Sipas një marrëveshjeje të vitit 2013, çdo dislokim i FSK-së në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it.

Leave a Reply