Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka hequr nga lista e sanksioneve katër individë të lidhur me Millorad Dodik, ish-presidentin e entitetit serb të Bosnjës.
Ky hap u mirëprit nga Dodik, i cili është në përpjekje për të hequr sanksionet amerikane ndaj tij. Dodik është ndëshkuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për pengimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila përfundoi konfliktin në Bosnje në vitet ’90.
Disa vende evropiane gjithashtu e akuzojnë për kërcënim ndaj paqes me politikat e tij separatiste. Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk ka dhënë detaje për arsyet e largimit të katër personave nga lista e sanksioneve.
Në janar, Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq u sanksionuan për organizimin e festimeve të ndaluara të “Ditës së Republikës Sërpska”. Festimi u ndalua nga gjykata e lartë e Bosnjës si antikushtetues.
Dodik, që ka punësuar lobistë në SHBA për heqjen e sanksioneve, e konsideron këtë akt si të motivuar politikisht.

Leave a Reply