Zbuloni Shtatorin: Muaji i Angazhimit Global për Parandalimin e Vetëvrasjeve

Vetëvrasja nuk është fundi i jetës, por fundi i një dhimbjeje të padukshme. Shtatori, muaji ndërkombëtar i parandalimit të vetëvrasjeve, na kujton se shumë njerëz në mesin tonë po luftojnë me beteja të fshehta, dhe disa e shohin vetëvrasjen si zgjidhjen e vetme për të ndalur dhimbjen e tyre.

Nga perspektiva klinike, vetëvrasja nuk është një akt për t’i dhënë fund jetës, por përpjekje për t’i dhënë fund vuajtjes së padurueshme. Pas çdo rasti fshihet një histori e rëndë, emocione të pathëna dhe thirrje për ndihmë që nuk janë dëgjuar.

Shenjat që nuk duhen injoruar përfshijnë:
– Ndryshime të mëdha në gjendjen emocionale.
– Izolimi nga familja dhe shoqëria.
– Shprehjet e dëshpërimit dhe mungesës së shpresës.

Këto nuk janë “kapriço”, por thirrje për ndihmë.

Si mund të ndihmojmë? Nuk është e nevojshme të jemi profesionistë për të shpëtuar jetë. Duhet:
– Të dëgjojmë pa gjykim.
– Të pyesim sinqerisht: “A je mirë?”
– Të inkurajojmë njerëzit të kërkojnë ndihmë profesionale.

Vetëvrasja nuk është fundi i dëshirës për të jetuar, por fundi i dhimbjes që nuk është parë. Në këtë shtator, le ta shohim si një mundësi për të folur më shumë për shëndetin mendor, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të ofruar shpresë aty ku duket se nuk ka. Çdo jetë ka vlerë dhe çdo dhimbje meriton të dëgjohet.

Opinion nga Elisa S. Hajrullahu – Psikologe Klinike dhe e Këshillimeve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *