Pesë vjet më parë, u nënshkrua Marrëveshja e Uashingtonit, një moment historik për Kosovën, që ofroi mundësi të jashtëzakonshme për të forcuar lidhjet me SHBA-në dhe për të pozicionuar vendin në qendër të zhvillimeve ekonomike rajonale përmes projekteve të mëdha infrastrukturore. Kjo marrëveshje synonte të transformonte Kosovën në një nyje kryesore rrugore, hekurudhore dhe energjetike, duke e lidhur atë me portet e Durrësit dhe Selanikut dhe më tej me Evropën Qendrore. Në aspektin politik, njohja nga Izraeli theu një bllokadë të gjatë njohjesh, duke avancuar statusin ndërkombëtar të Kosovës.
Megjithatë, pas zgjedhjeve të vitit 2021, institucionet e reja të Kosovës e neglizhuan këtë marrëveshje. Fillimisht e kritikuar ashpër nga opozita, sot, pas pesë vitesh, ajo njihet gjerësisht për rëndësinë e saj strategjike.
Gjatë qeverisë së Avdullah Hotit, disa hapa të rëndësishëm u ndërmorën për zbatimin e marrëveshjes:
1. Ministria e Infrastrukturës zhvilloi bisedime me DFC dhe BE për projekte kyçe, si vazhdimi i autostradës për Merdarë dhe lidhje të tjera strategjike.
2. Ministria e Brendshme bëri funksionale pikën kufitare në Merdarë.
3. Ministria e Arsimit përgatiti takime për njohjen reciproke të diplomave me Serbinë.
4. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, me ndihmën e ekspertëve amerikanë, përfundoi studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
5. Projekte për diversifikimin e energjisë, përfshirë gazsjellësin Kosovë–Maqedoni e Veriut dhe energji të ripërtëritshme, u aprovuan.
6. Një memorandum për sistemin 5G u nënshkrua me SHBA-të.
7. Masa për sigurinë e pajisjeve të teknologjisë 5G u ndërmorën.
Këto hapa tregojnë potencialin e madh që kishte Marrëveshja e Uashingtonit për të transformuar infrastrukturën dhe politikën e jashtme të Kosovës, një mundësi që nuk u shfrytëzua plotësisht.

Leave a Reply