Një grabitje e bujshme ka tronditur Muzeun e Luvrit në Paris, ku në vetëm shtatë minuta, persona të armatosur kanë arritur të vjedhin një koleksion të çmuar bizhuterish mbretërore.
Autorët përdorën mjete prerëse për të hyrë në ndërtesë dhe më pas u larguan me motorë skuter. Në vendngjarje u gjet një jelek i verdhë me gjurmë ADN-je, i cili përbën një provë kyçe për hetuesit.
Sipas Prokurores së Parisit, grabitësit shfrytëzuan një ngritës mobil për të hyrë nga dritarja e katit të parë, duke sulmuar sallën e Apolonit dhe duke kërcënuar rojet. Mes sendeve të vjedhura ishin një tiarë me më shumë se 1.000 diamante dhe një gjerdan me safirë.
Megjithatë, ata lanë pas diamantin “Régent” dhe një tiarë tjetër gjatë arratisë së tyre. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, shprehu besimin se autorët do të kapen shpejt, ndërsa Ministria e Kulturës siguroi se alarmi i sigurisë u aktivizua menjëherë.
Presidenti Emmanuel Macron theksoi rëndësinë e kthimit të veprave të vjedhura dhe dënimit të autorëve. Muzeu mbeti i mbyllur për hetime të mëtejshme.

Leave a Reply