Basketbolli kosovar vazhdon të shfaqet fuqishëm në garat evropiane, ku të mërkurën pritet të luajnë tri skuadra nga Kosova në xhiron e dytë të FIBA Europe Cup dhe ENBL League.
KB Trepça, kampioni aktual i Kosovës, do të luajë përpara tifozëve të vet në palestrën “Minatori” pas një paraqitjeje të denjë kundër PAOK-ut në Selanik, ku u mund 85:74. Mitrovicasit pritet të ndeshen me Basketball Braunschweig nga Gjermania, që fitoi ndaj Anwilit me rezultat 98:97 pas vazhdimeve.
Përballja do të zhvillohet në orën 18:30. Ndërkohë, Bashkimi i Prizrenit, pas disfatës ndaj Cibonës në Zagreb (93:79), do të kërkojë fitoren e parë në grup kundër Reggianës së Italisë, që mposhti Dijonin 96:88.
Ndeshja pritet të fillojë në orën 20:00. KB Peja, e mposhtur nga Rigas Zelli (83:72), do të udhëtojë përballë Dubravës në Zagreb.
Të dy skuadrat kanë nevojë për fitore, pasi Dubrava gjithashtu humbi në xhiron e parë. Ndeshja do të nisë po ashtu në orën 20:00.
Ndërkohë, KB Prishtina kryeson Grupin B të ENBL League me dy fitore dhe do të luajë më 29 tetor kundër Slovan Bratislava në Sllovaki.

Leave a Reply