Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në Berlin Global Dialogue, theksoi rolin e rëndësishëm që Kosova mund të luajë në Bashkimin Evropian.
Ajo nënvizoi se Kosova është një partner me përvojë të drejtpërdrejtë në përballjen me forcat e dëmshme dhe është e gatshme të mbrojë vlerat demokratike të BE-së. Osmani theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë plotësisht i bazuar në meritat e vendeve.
“Ky proces nuk është bamirësi, por një zgjedhje strategjike për Evropën,” tha ajo. Presidentja vlerësoi se Kosova sjell inovacion dhe energji të reja që janë të domosdoshme për konkurrencën e Evropës.
Ajo vuri në dukje qëndrueshmërinë e Kosovës ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe e quajti këtë si një kontribut për sigurinë kontinentale. Osmani përmendi edhe rolin e NATO-s në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e parimeve që shpëtuan jetë njerëzish.
Presidentja përmendi mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe angazhimin në misionet ndërkombëtare të NATO-s, si dhe sanksionet kundër Rusisë. Ajo theksoi se për Kosovën, vlerat janë pasuri strategjike, duke nënvizuar investimin në demokraci dhe fuqizimin e grave dhe të rinjve përmes agjendës ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’.

Leave a Reply