Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka theksuar se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është i pamundur pa njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe pa heqjen dorë nga koncepti i “botës serbe”.
Në një intervistë për gazetën kroate Jutarnji List, eurodeputeti kroat nënvizoi se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht i domosdoshëm për integrimin në BE. Picula vuri në dukje se dialogu mes dy vendeve, i cili rifilloi më 2023, nuk ka sjellë përparim të dukshëm.
Ai përmendi se krizat, përfshirë sulmin e forcave paramilitare serbe në veri të Kosovës, kanë penguar progresin. Sulmi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiq në Banjska u cilësua nga Picula si një rrezik i madh për stabilitetin rajonal.
Ai shtoi se BE ka kërkuar që Beogradi të trajtojë këtë çështje me seriozitet, duke arrestuar dhe proceduar autorët e sulmit. Sipas tij, injorimi i kërkesave nga Beogradi përbën pengesë për procesin evropian të Serbisë.
Në përfundim, Picula shprehu shqetësimin e institucioneve të BE-së për mungesën e përparimit në sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin rajonal nga Serbia.

Leave a Reply