Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe partia e tij kanë supozuar se do të kishin mbështetjen e Nismës për votimin e qeverisë së re, megjithëse nuk u arrit një marrëveshje bashkëpunimi.
Pas vendimit të Nismës, e drejtuar nga Fatmir Limaj, për të mos votuar kabinetin e Kurtit, tensionet mes partive janë rritur, duke u shfaqur fillimisht në nivel lokal. Në Malishevë, përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, i cili është bashkëshorti i Albulena Haxhiut, ka ngritur pretendime për manipulim të rezultateve zgjedhore të Nismës.
Kjo deklaratë ka ngjallur reagimin e deputetes së Nismës, Arbëreshë Krasniqi. Në një intervistë për Klankosova.tv, ajo ka theksuar se mbështetja e Nismës në Malishevë është e qëndrueshme dhe në rritje.
Ajo vuri në dukje se disa projekte të rëndësishme, si Autostrada e Kombit, janë të lidhura ngushtë me Fatmir Limajn, ndërsa zhvillimi urbanistik i Malishevës lidhet me Ekrem Kastratin. Sipas saj, suksesi i Nismës në këtë zonë është i patjetërsueshëm dhe po forcohet gjithnjë e më shumë.

Leave a Reply