Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është aktive në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar, ku po ndihmon trajnimin e ushtarëve ukrainas dhe po bashkëpunon me partnerë të tjerë për t’iu kundërvënë agresionit rus në Ukrainë.
FSK është pjesë e kontingjentit të saj të katërt në këtë operacion, duke bashkëpunuar me Kompaninë “Echo”, e cila drejtohet nga njësi nga Zelanda e Re. Ky kontingjent përfshin gjithashtu njësi nga Kosova, Estonia dhe Lituania.
Maqedonci ka theksuar se FSK po merret me detyra planifikuese dhe logjistike, ndërsa ofron kurse pesëjavore për forcat ukrainase. Gjatë angazhimit të saj, Kompania Echo ka përfunduar tre kurse trajnimi për ushtarët ukrainas.
Misioni i FSK-së synon të përgatisë pjesëtarët e Forcave Ukrainase për role udhëheqëse në nivel skuadre, duke përfshirë taktika dhe procedura të ndryshme, si patrullat, operacionet sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe përdorimin e dronëve dhe qitjen taktike. Ky angazhim përforcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe aftësitë mbrojtëse të FSK-së.

Leave a Reply