Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka bërë publike hetimet ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
Prokuroria thekson se hetimet po vazhdojnë për veprën penale të parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal, lidhur me tenderat apo ankandet publike. Në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, i cili është i bashkuar me procedimet nr.167 dhe 181 të vitit 2024, Balluku është njoftuar zyrtarisht për akuzat më 31 tetor 2025.
Hetimi përfshin aktivitetet e saj në cilësinë e ministres gjatë procesit të prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në seksionin Orikum-Himarë të autostradës SH8, që filloi më 11 dhjetor 2020 dhe u rihap më 22 qershor 2021 me një fond limit prej afro 19 miliardë lekësh. Më herët, më 21 tetor 2025, Balluku ishte njoftuar për akuzat, por ajo nuk mundi të paraqitej në datën e kërkuar, duke e shtyrë takimin për më 31 tetor, në orën 15:00.

Leave a Reply