Në qytetin verior të Novi Sadit, një numër i madh studentësh dhe kundërshtarë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po mblidhen për të përkujtuar viktimat e një tragjedie që ndodhi një vit më parë, ku humbën jetën 16 persona.
Protestat, të nisura fillimisht si reagim ndaj shembjes vdekjeprurëse të një stacioni hekurudhor më 1 nëntor 2024, janë shndërruar në një lëvizje të gjerë antiqeveritare që kërkon reforma demokratike dhe zgjedhje të parakohshme. Protestuesit që po vijnë nga i gjithë vendi në Novi Sad, përballen me sfida të shumta, përfshirë kërcënimet e presidentit Vuçiq për arrestime në rast dhune.
Ndërkohë, Vuçiq ka njoftuar se mbështetësit e tij planifikojnë një tubim tjetër më vonë gjatë muajit. Transporti drejt Novi Sadit është ndërprerë pas pretendimeve për kërcënime me bombë, një skenar i përsëritur për të penguar protestat masive.
Megjithatë, mijëra qytetarë janë duke u përgatitur për tubimin e së shtunës, i cili mund të shënojë një nga ngjarjet më të mëdha të këtij lloji në Serbi, duke reflektuar zemërimin e gjerë ndaj qeverisë aktuale.

Leave a Reply