Murati kërkon mbështetje për buxhetin 2025 në parlament

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë buxhetin për vitin 2025 për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

Ai thekson se me konstituimin e Kuvendit, ekziston tashmë mundësia që këto komuna të kenë buxhetin e tyre, duke u mundësuar pagesën e faturave të akumuluara për shkak të mungesës së buxhetit. Në një postim në “Facebook”, Murati ka bërë thirrje për tejkalimin e inateve politike ndërmjet deputetëve, duke theksuar rëndësinë e veprimit të tyre në krijimin e komisioneve parlamentare dhe miratimin e buxhetit.

Ai informon se Qeveria tashmë ka dërguar në Kuvend materialin buxhetor për tri komunat e përmendura. Murati ka sugjeruar që përmes një procedure të përshpejtuar prej 72 orësh, buxheti mund të miratohet brenda javës së ardhshme, duke i hapur rrugën pagesave të domosdoshme.

Ai shpreson që deputetët e opozitës të veprojnë me përgjegjësi dhe të mbështesin këtë proces.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *