Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj Millorad Dodikut, ish-presidentit të Republikës Sërpska, dhe 48 individëve e kompanive të tjera, veprim ky që mund të sinjalizojë një fazë të re politike në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas Adnan Qerimagiq nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet në Berlin, ky hap i SHBA-së synon të kontribuojë në shtensionimin e situatës në vend dhe tregon se Amerika vazhdon të ketë rol drejtues në angazhimet ndërkombëtare atje. Departamenti amerikan i Shtetit e lidh këtë vendim me anulimin e disa ligjeve jokushtetuese nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska më 18 tetor.
Në të njëjtën seancë, Ana Trishiq Babiq u emërua presidente e përkohshme e këtij entiteti. Më parë, Dodik u hoq nga posti i tij pasi u dënua nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa Trifunoviq nga portali “Buka” vlerëson se SHBA është e përkushtuar ndaj një Bosnje dhe Hercegovine të bashkuar.
Ndërkohë, analisti Qerimagiq parashikon se SHBA do të vazhdojë të përdorë ndikimin e saj politik në rajon. Nga ana tjetër, profesor Enver Kazaz komenton se heqja e sanksioneve ndaj Dodikut mund të tregojë përpjekjet e SHBA-së për të kufizuar ndikimin rus në Ballkan.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse SNSD-ja e Dodikut do të vazhdojë me politikat e saj penguese, ndërkohë që vendi vazhdon të përballet me kriza politike dhe financiare.

Leave a Reply