Përkundër akuzave të rënda dhe zgjatjes së ndalimit të largimit nga Serbia, Millan Radoiçiq, i cili pranoi përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, mbetet i lirë në Beograd. Gjykata e Lartë e Beogradit konfirmoi se Radoiçiq i respekton masat e vendosura, ndërsa prokuroria ende nuk ka ngritur aktakuzë, për shkak të ndikimeve politike, sipas Maja Bjellosh nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë. Ndërkohë, disa të tjerë të akuzuar për sulmin janë parë në protestat antiqeveritare në Serbi, duke mos u ballafaquar ende me drejtësinë.
Në anën tjetër, Kosova vazhdon përpjekjet për ekstradim dhe ndjekje penale të të akuzuarve, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa Arbnor Spahiu, shtetas i Kosovës, është arrestuar dhe mbahet në burg në Serbi, nën akuza për vrasje të rëndë.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga Serbia të ndjekë penalisht përgjegjësit, por deri tani nuk ka pasur progres. Shtetet anëtare të BE-së insistojnë në zgjidhjen e çështjes së Banjskës si kusht për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, një proces që po përballet me sfida të shumta për shkak të refuzimit të Beogradit për të mbështetur sanksionet kundër Rusisë dhe të tjera çështje politike.

Leave a Reply