Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të mbajtur sot, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të emërojë Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër të qeverisë së re.
Ky vendim vjen pasi VV-ja nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme për Albin Kurtin, i cili si mandatar i parë siguroi vetëm 56 vota. Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të VV-së, deklaroi se pas diskutimeve të thelluara, u vendos që mandati i dytë për krijimin e qeverisë t’i besohet nënkryetarit Konjufca.
Ai theksoi se ky propozim nuk është bërë për të bërë lëshime. Aktualisht, nuk është bërë e ditur nëse partia ka siguruar numrat e nevojshëm për të kaluar qeverinë e re në Kuvend, por VV-ja ka 10 ditë kohë për të finalizuar përbërjen qeveritare dhe për të siguruar mbështetjen e duhur.
Kurti gjithashtu zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani në mëngjesin e së martës, një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për të caktuar një mandatar të ri.

Leave a Reply