Në fundjavën e kaluar, në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, Millan Vukashinoviq, me nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe, sipas burimeve policore.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani e dënoi incidentin, duke e cilësuar si shfaqje të hegjemonizmit serb.
Ky qëndrim u mbështet edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se veprimet e Serbisë janë një kërcënim për integritetin territorial të Kosovës. Ekspertët e sigurisë kanë ngritur shqetësime mbi këtë incident, duke e quajtur një shkelje të sovranitetit të Kosovës.
Arben Dashevci, njohës i fushës, e përshkroi si pjesë të luftës hibride të Serbisë. Ndërkohë, Avni Islami deklaroi se veprimet e tilla përbëjnë një shkelje të rëndë të sovranitetit.
Avokati i Vukashinoviqit, Ivan Niniq, ka informuar se gjendja shëndetësore e klientit të tij është e rëndë, ndërsa automjeti dhe sendet personale të tij janë zhdukur nga vendi i ngjarjes.

Leave a Reply