Policët kosovarë nën hetim për lidhje me Valdet Zeqirin

Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale ka nxjerrë në pah një situatë të pazakontë, ku dy zyrtarë të Policisë së Kosovës, Arian Mecinaj dhe Alban Nura, shfaqen në një automjet së bashku me Valdet Zeqirin.

Zeqiri, i cili është nën hetim për kontrabandë dhe kalim ilegal të kufirit, është pjesë e një rrjeti të dyshuar kontrabande në veri të vendit, lidhur me xhaxhain e tij, Besim Zeqirin, të njohur si “Kaça”. Fotografia, e cila fillimisht ishte publikuar nga Valdet Zeqiri në Instagram dhe më pas e shpërndarë nga polici Mecinaj, ka shkaktuar shqetësim për mundësinë e lidhjeve të policisë me grupet e kontrabandës.

Prokuroria e Mitrovicës ka konfirmuar se ndaj Valdet Zeqirit janë hapur tri raste penale, duke përfshirë akuza për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë mallrash. Në përpjekje për të sqaruar situatën, KALLXO.com ka kontaktuar zyrtarët policorë.

Arian Mecinaj ka deklaruar se ata ishin duke shkuar në një dasmë, dhe se njohja e tij me Valdet Zeqirin është kryesisht për arsye të fqinjësisë dhe shkollës. Zyra për Informim e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka konfirmuar se pjesëmarrja në dasmë ishte jashtë detyrës zyrtare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *