Një tjetër rast i diskutueshëm ka dalë në dritë lidhur me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, pasi është zbuluar se familjarët e tij janë të përfshirë në një projekt ndërtimi në tokë komunale.
Reshat Muharremaj, vëllai i kryetarit, dhe nipi i tij, Edon Muharremaj, janë të angazhuar në ndërtimin e një objekti afaristo-banesor në këtë qytet. Në gusht 2024, Komuna e Suharekës shpalli një garë publike për shfrytëzimin e një prone komunale për ndërtim.
Nga katër ofertues të fillim, vetëm tre dorëzuan formularët e nevojshëm deri në afatin e fundit. Prona u dha për shfrytëzim Visar Bashës, por më vonë u përfshi “EM Invest Group” SH.P.K., kompani në pronësi të Edon Muharremajt.
Ndërkohë, leja ndërtimore u dha pasi punimet kishin filluar dhe ndërtimi po zhvillohet pjesërisht në tokë komunale. Marrëveshja parashikon që Komuna e Suharekës të përfitojë 27 për qind të hapësirës së ndërtuar, rreth 430 metra katrorë, si kompensim.
Kryetari Muharremaj ka mohuar çdo shkelje, duke theksuar se procesi ka qenë transparent. Ndërsa Edon Muharremaj ka refuzuar të japë përgjigje për mediat, duke shprehur pakënaqësi për pyetjet e bëra.
Asamblisti i LDK-së, Selman Kolgeci, ka kritikuar marrëveshjen si të padrejtë, duke theksuar se punimet filluan pa leje. Investitori Basha nuk ka reaguar ndaj kërkesave për komente.

Leave a Reply