Trëndafilova: Vendimet e Gjykatës i Marrin Gjyqtarët, Jo Kryetarja

Kryetarja e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, i ka kthyer përgjigje letrës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke sqaruar se vendimet për paraburgimet merren nga gjyqtarët përgjegjës dhe jo nga ajo personalisht.

Michael Doyle, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, theksoi se Trëndafilova ka nënvizuar pavarësinë e gjykatësve dhe zhvillimin e gjykimeve sipas standardeve më të larta të të drejtave të njeriut. Sa i përket procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, seanca e radhës do të zhvillohet të hënën.

Doyle bëri të ditur se mbrojtja e Thaçit synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë, përfshirë dhe Wesley Clark, i cili pritet të dëshmojë më 18 nëntor. Për të përfunduar dëshminë e tij, është caktuar një seancë shtesë më 21 nëntor 2025.

Gjithashtu, një ankesë e mbrojtjes lidhur me vonesën e materialeve nga Prokuroria është hedhur poshtë nga trupi gjykues, i cili konstatoi se nuk kishte pasur dëm për mbrojtjen. Gjykata i kujtoi Prokurorisë rëndësinë e përfshirjes së materialeve në njoftimet e saj sipas rregullave të caktuara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *