Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK-në, ka diskutuar mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025, situatën politike aktuale dhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Sipas Bislimit, raporti nuk përmban vlerësime përfundimtare, por ofron analiza të detajuara për secilin kapitull të integrimeve evropiane. Ai sqaroi se në 35 kapituj është shënuar progres, ndërsa mungesa e progresit është evidentuar vetëm në tri fusha, njëra prej të cilave lidhet me peshkatarinë, sektor që Kosova nuk e zhvillon për shkak të mungesës së daljes në det.
Bislimi theksoi se raporti i këtij viti është më objektiv dhe i drejtë krahasuar me vitet e kaluara. Për sa i përket situatës politike, ai vuri në dukje se ngërçi institucional është rezultat i refuzimit të disa subjekteve politike për të pranuar rezultatet zgjedhore.
Ndërkohë, duke folur për masat e BE-së, Bislimi tha se Brukseli pret transferimin paqësor të pushtetit në katër komunat veriore. Në fund, ai paralajmëroi se nëse qeveria e re nuk arrin të formohet, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja në dhjetor.

Leave a Reply