Christopher Hill, ish-diplomati amerikan i angazhuar gjatë luftës në Kosovë, ka filluar sot dëshminë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Dëshmia e tij do të vazhdojë nesër në orën 9:00, ndërsa gjykatësi i kujtoi që të mos diskutojë për dëshminë me asnjë person tjetër. Gjatë dëshmisë, Hill theksoi se Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë viteve 1998-1999 dhe nuk e drejtonte atë.
Ai e përshkroi Thaçin si një njeri që fliste me maturi dhe më shumë për një ambient universitar se sa ushtarak. I pyetur për strukturën e UÇK-së, Hill tha se ajo nuk kishte organizim vertikal dhe përbëhej nga grupe të ndryshme, duke e bërë të vështirë gjetjen e një personi përgjegjës.
Hill gjithashtu foli për marrëdhëniet mes UÇK-së dhe Ibrahim Rugovës, duke vënë në dukje dëshirën e UÇK-së për të qenë zëri kryesor i Kosovës. Në lidhje me takimin mes Rugovës dhe Sllobodan Millosheviqit në Beograd në 1998, Hill tha se iniciativa erdhi nga SHBA-ja, megjithëse ai vetë ishte skeptik për rezultatet e mundshme të këtij takimi.

Leave a Reply