Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim me kongresistin republikan Keith Self në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York. Ata diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në Amerikë.
Në takim, Kurti informoi kongresistin Self për zhvillimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, përfshirë investimet në kapacitete profesionale dhe pajisje nga SHBA, si pjesë e bashkëpunimit në mbrojtje. Ai gjithashtu theksoi vendimet e qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për produktet amerikane dhe për programet e vazhdueshme si Kompakti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit. Rëndësia e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe nxitja e investimeve të huaja direkte u theksuan gjithashtu.
Kurti e ftoi kongresistin Self për një vizitë në Kosovë, duke e falënderuar për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe aspiratave të saj për anëtarësim në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike.

Leave a Reply