KQZ-ja përballë sfidës financiare për zgjedhjet e parakohshme

Zgjedhjet kombëtare dhe ato lokale të mbajtura këtë vit kanë kushtuar afërsisht 18 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Nëse vendi përballet me zgjedhje të tjera brenda vitit, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do të duhet të përballojë sfida të reja financiare, pasi nuk ka fonde të parashikuara për një tjetër proces zgjedhor. Glauk Konjufca, i mandatuari për formimin e qeverisë, ka afat deri më 19 nëntor për të krijuar kabinetin.

Në rast të dështimit, zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin në gjysmën e dytë të dhjetorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka pohuar se KQZ do të hartojë një plan buxhetor për zgjedhje të mundshme dhe do ta paraqesë atë për miratim në qeveri.

Megjithatë, KQZ nuk ka dhënë ndonjë vlerësim konkret për koston e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se kjo do të bëhet vetëm pas shpalljes zyrtare të datës së zgjedhjeve. Ndërkohë, kërkesat për informacion nga qeveria në detyrë mbi mundësinë e rialokimit të fondeve mbeten pa përgjigje.

Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa për ato lokale në 38 komuna, një buxhet prej 10.5 milionë eurosh. Shpenzimet përfundimtare do të bëhen të qarta pas përmbylljes së procesit zgjedhor.

Sipas KQZ-së, zakonisht kostoja përfundimtare del më e ulët se ajo e planifikuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *