Hill: Shqiptarët treguan unitet në Rambuje, përgënjeshtruan Millosheviqin

Christopher Hill, diplomati amerikan, ka dëshmuar në Gjykatën Speciale për rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke ndarë shqetësimet e SHBA-së gjatë negociatave të Marrëveshjes së Rambujesë në vitin 1999.

Ai theksoi se qëllimi kryesor ishte të dërgohej një mesazh i qartë për serbët se procesi do të ndodhte dhe se ata duhet të bëheshin pjesë e tij. Hill vuri në dukje se Sllobodan Millosheviqi kishte besuar se shqiptarët nuk do të pranonin asgjë, ndërsa Marrëveshja e Rambujesë tregoi të kundërtën.

Diplomati amerikan tha se pala shqiptare arriti të bashkohej rreth një qëllimi të përbashkët, çka përbënte një moment historik të rëndësishëm. Ai u shpreh i kënaqur që figura të ndryshme politike, të cilat më parë kishin mosmarrëveshje, arritën të bashkëpunonin në atë kohë.

Megjithëse SHBA-ja ndjente një lloj melankolie për mungesën e palës serbe në marrëveshje, arritja e një konsensusi midis shqiptarëve u konsiderua një sukses i madh në atë kohë historike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *