Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren.
Në qendër të këtij takimi ishte zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimi i projekteve që TİKA mbështet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Të dy zyrtarët vlerësuan arritjet e deritanishme në fusha si arsimi, shëndetësia, zhvillimi rural dhe bujqësia, duke përfshirë ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ata theksuan rëndësinë e këtyre projekteve për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve lokale. Kurti shprehu vlerësimin për partneritetin mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe për rolin e TİKA-s në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Nga ana tjetër, Abdullah Eren konfirmoi angazhimin e TİKA-s për të vazhduar dhe zgjeruar programet mbështetëse, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet qendrore dhe komunale. U ra dakord për një koordinim më të ngushtë mes ekipeve për identifikimin e prioriteteve të reja, duke u fokusuar në investimet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla rurale dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë.

Leave a Reply