Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe përfaqësuesja e Iniciativës për Fuqizimin e Edukimit, Blerta Aliu, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”.
Ky projekt synon të përmirësojë edukimin medial, sigurinë digjitale dhe mendimin kritik ndër mësimdhënësit dhe nxënësit, duke promovuar një qasje moderne në sistemin arsimor. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Komuna e Podujevës dhe EEI synojnë të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të mësimdhënësve dhe nxënësve për të lundruar me përgjegjësi në mjedisin digjital dhe për të identifikuar dezinformimin.
Kryetari Bulliqi vuri në dukje rëndësinë e projektit, duke e cilësuar atë si të domosdoshëm në epokën e teknologjisë dhe informacionit të rremë. Ekspertët nordikë do të ofrojnë një program trajnimi për ekipin lokal të EEI-së, për të përgatitur trajnerët që do të edukojnë mësimdhënësit e Podujevës.
Trajnerët e certifikuar do të mbajnë sesione me mësimdhënës për të forcuar edukimin medial dhe sigurinë digjitale. Marrëveshja do të zgjasë 18 muaj.

Leave a Reply