Avokati Arbër Jashari ka komentuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale kundër ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, lidhur me keqpërdorimet e dyshuara të rezervave shtetërore.
Ai ka theksuar se, nëse këto dyshime vërtetohen, të përfshirët mund të përballen me deri në 10 vjet burgim, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës. Përveç burgimit, mund të shqiptohet edhe ndalimi i ushtrimit të detyrave publike për disa vite.
Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë kundër katër personave në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke përfshirë edhe R.H., I.L., dhe H.G., të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022. Ata dyshohen se kanë shkaktuar dëm prej mbi 2.9 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit, duke zbuluar informacione të klasifikuara mbi vendndodhjen e rezervave shtetërore.
Ndërkohë, R.M. akuzohet për ndihmë në keqpërdorimin e pozitës, pasi dyshohet se ka ndërmjetësuar në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë.

Leave a Reply