Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Wesley Clark do të fillojë dëshminë e tij më 17 nëntor, me fillim nga ora 12:00.
Vendimi u mor nga trupi gjykues, i cili gjithashtu anuloi seancën e planifikuar për 21 nëntor. Dëshmia e Clark pritet të përfundojë më 19 nëntor 2025 dhe do të pasohet nga një konferencë për ecurinë e çështjes.
Procesi gjyqësor ka parë deri tani disa dëshmi të rëndësishme. Mbrojtja prezantoi provat e saj më 15 shtator 2025, ku dëshmoi ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, dhe pas tij, ish-këshilltari ligjor Paul Williams.
Ndër të tjerët, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey kanë ofruar dëshmitë e tyre në shtator dhe tetor. Dëshmitë përfundimtare të mbrojtjes janë parashikuar të mbyllen më 14 nëntor 2025, ndërsa parashtresat përfundimtare pritet të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që përbëhet nga dhjetë akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para.

Leave a Reply