Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë më shumë se 13,000 pako të dyshuara me fletëvotime nga kutitë postare në 22 shtete të ndryshme, të cilat i përkasin votimit jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave.
Këto zgjedhje përfunduan më 8 nëntor. Numri i shtetasve të regjistruar për të votuar në këtë proces ka qenë afërsisht 30,000.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi këtë zhvillim për Gazeta Express, duke theksuar se procesi i vlerësimit dhe verifikimit të këtyre pakove ka nisur të enjten në mesditë. Ky proces synon të sigurojë që pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.
Elezi shtoi se këto pako janë ende të konsideruara si “të supozuara” derisa të vërtetohet përmbajtja e tyre. Në periudhën e regjistrimit nga 23 korrik deri më 29 gusht, u regjistruan 29,725 votues për të votuar përmes postës në këtë raund zgjedhjesh.

Leave a Reply