Arsimtari mohon akuzat për hedhjen e flamurit dhe plisit

Muhamed Hajredinaj, mësimdhënës i gjuhës angleze, u deklarua i pafajshëm në seancën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, lidhur me akuzën për hedhjen në shportë të mbeturinave të flamurit kombëtar dhe plisit.

Gjatë seancës, në pyetjen e gjykatësit nëse ndjehet fajtor, ai u përgjigj: “Absolutisht jo”. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 24 prill 2025, ngjarja ndodhi më 27 nëntor 2024, në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.

Hajredinaj, në cilësinë e mësuesit të gjuhës angleze, akuzohet se ka nxitur urrejtje dhe përçarje, kur në klasë ka hedhur flamurin kuq e zi dhe plisin në shportë. Kjo ndodhi pasi nxënësit kishin veshur simbolet kombëtare për festën e Ditës së Flamurit.

Aktakuza shton se ai ka larguar edhe një nxënëse nga ora mësimore për pjesëmarrje në festimet e shkollës. Për këto veprime, Hajredinaj përballet me akuzën për “Nxitje të përçarjes dhe mos durimit” sipas Kodit Penal të Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *