Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili rrëzoi kërkesën për përsëritje të votimeve në Mitrovicë.
Gruda e cilëson vendimin si të pabazuar në hetime apo ekspertiza, duke theksuar se PZAP pranoi vetëm shpjegimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për një “gabim teknik” në numrat serikë të fletëvotimeve në 54 nga 105 vendvotime. Në një ankesë të detajuar, PDK argumenton se gabimet në fletëvotime, si mungesa e vulës ose vulosja e dyfishtë, janë shkelje të rëndësishme që prekin integritetin e zgjedhjeve.
Partia përmend se precedentët e mëparshëm të Gjykatës Supreme kanë çuar në rivotime për shkelje më të vogla. PDK kritikon gjithashtu procesin e verifikimit të PZAP-it, duke pretenduar se u përjashtuan nga procesi përfaqësuesit e partisë.
Në ankesë argumentohet se vetëm një rivotim i plotë mund të rikthejë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Partia kërkon që Gjykata Supreme të urdhërojë KQZ-në për të organizuar rivotimin në përputhje me standardet kombëtare dhe evropiane.

Leave a Reply