Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, pritet të dëshmojë sot në gjyqin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Dëshmia e tij do të zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, ndodhet në Hagë për të ndjekur dëshminë e Clarkut.
Fillimisht, do të diskutohet për përvojën e tij ushtarake para se të bëhej kryekomandant i Forcave Evropiane të NATO-s. Më pas, ai do të pyetet rreth njohurive të tij lidhur me luftën në Kosovë.
Mbrojtja e Thaçit planifikon të diskutojë përpjekjet e Clarkut në zbatimin e marrëveshjes së arritur në tetor 1998 midis Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës, si dhe për Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjithashtu, Clark do të flasë për fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe për marrëveshjen e demilitarizimit që pasoi, duke përfshirë hyrjen e KFOR-it në Kosovë në 1999.

Leave a Reply